Hetimi për "21 janarin" në SPAK, pyeten familjarët e Aleks Nikës, nuk dorëzojnë audio-përgjimin

Nga Armand Bajrami
22 Korrik 2024, 19:13 | Kronikë

Tetë ditë pasi regjistroi hetim penal për “21 Janarin”, SPAK nisi të marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen. Të parët në radhë ishin Rajmonda e Mark Nika, përkatësisht bashkëshortja dhe xhaxhai i Aleks Nikës, një prej viktimave të “21 janarit”.

Pas dy orë e gjysmë qëndrimi përballë hetuesve e veja e Nikës tha se nuk kishte paraqitur prova të reja, madje as audiopërgjimin ku pretendohet se ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi, jep urdhër për zjarr.

Audiopërgjimin në fjalë hetuesit e SPAK ia kërkuan edhe xhaxhait të Aleks Nikës, por ai i ka orientuar për tek ai që e zotëronte. Mark Nika tha se kishte besim tek SPAK, por sipas tij, nëse nuk zbardhej zinxhiri komandues çështja nuk konsiderohet e zbardhur.

SPAK nisi hetim për “21 janari” më 15 korrik, në zbatim të një vendimmarrjeje të Gjykatës së Lartë, që vendosi se Struktura e Posaçme duhet të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika.

Çështja po hetohet për veprat penale “vrasje në rrethana cilësuese”, “shpërdorim të detyrës” dhe “kryerje e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të treja kryer në bashkëpunim.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos