Prokuroria e Posaçme SPAK, mbylli hetimin dhe dërgoi në gjyq dy fraksione të dosjes “5D”, “fronin” e të pandehurve të së cilës e mbajnë ish-drejtorë të Bashkisë Tiranë.
Mbi të pandehurit e dy dosjeve, nëntë në total, rëndon akuza e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”, vepër e kryer, sipas SPAK, për të favorizuar në mënyrë të paligjshme shoqërinë “5D” në dy procedura tenderuese, atë për rikonstruksionin e një palestre të “Klubit Sportiv Tirana” dhe rikonstruksionin e sheshit të parkimit tek “Selman Stermasi”.
Shoqëria “5D” thotë SPAK, kishte për pronarë faktikë, Redi Mollën dhe Mariglen Qaton, ish-drejtorë në Bashkinë e kryeqytetit. Sipas SPAK, në rastin e parë, e pandehura Deborah Keçi, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor është dakordësuar me përfaqësuesin e shoqërisë “V.A.S Konstruksion” shpk, e njëjtë me “5D”, për ta shpallur fituese të procedurë që në fazën e përgatitjes së dokumenteve.
Për të bërë këtë, referuar hetimit, ka bashkëpunuar me Teuta Guri, Jeton Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, anëtar të Komunikonit të Vlerësimit të Ofertave, që dyshohet se kanë vlerësuar e klasifikuar operatorin e paracaktuar si fitues.
Në fraksionin tjetër, në të njëjtën formë, e pandehura Eglantina Zere, si titullare e “Tirana Parking”, institucion në varësi të Bashkisë, ka avantazhuar duke shkelur ligjin shoqërinë tregtare të njëjtë me “5D”,veprë e kryer në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertavedhe një anëtar të njësisë së prokurimit.
Nga hetimi ka rezultuar se verifikimin dhe vlerësimin e garuesve në tender nuk e kanë bërë anëtarët e KVO, por e kanë bërë punonjësit e“5D”. Të mërkurën në Gjykatën e Posaçme ishte caktuar të zhvillohej seanca paraprake për kalimin në gjyq të 8 të pandehurve të dosjes “5D”, por seanca u shty për më 28 janar për shkak të mosnjoftimit të një prej të pandehurve.
Sipas SPAK, hetimi i dosjes “5D” ka ende fraksione të hapura, verifikimi i 11 procedurave tenderuese, si edhe nëse zyrtarë të tjerë që mund të jenë pronarë faktikë, apo përfitues nga “5D”. (A2 Televizion)