Hetimi për "korrupsion", GJKKO nuk i kthen telefonin bashkëshortes së Veliajt

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2024, 16:54 | Kronikë

Gjykata e Posaçme vendosi të mos i kthejë telefonin e sekuestruar Ajola Xoxes, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe as sendet e sekuestruara në banesën dhe shoqëritë e vëllait të tij, Arbër Veliaj.

Kundërshtitë e të dyve u shqyrtuan në një proces të kryesuar nga gjyqtarja Atalanta Zeqiri. Familjarët e kryebashkiakut kërkuan kthimin e sendeve të sekuestruara me pretendimin se ishin administruar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Pretendimet e tyre nuk bindën gjykatën, që vendosi të refuzojë dy kërkesat.

Agjentët e BKH ekzekutuan më 6 dhjetor vendimin e Gjykatës së Posaçme për kontrollim personal të bashkëshortes së kryebashkiakut Veliaj dhe vëllai të tij, si edhe disa personave të tjerë, për llogari të një hetimi të SPAK për veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

I njëjti vendim lejonte kontroll të disa banesave të Arbër Veliajt, disa ambienteve zyra shoqërive dhe OJF-ve, të familjarëve të kryebashkiakut, por edhe të 4 personave të tjerë.

Kontrollet e ushtruara kishin për qëllim zbulimin dhe administrimin e provave dokumentare dhe elektronike, si pajisje telefonash celularë, laptop apo kompjuterësh personalë.

Kontrollet në fjalë u kërkuan nga SPAK pas dyshimeve se anëtarë të ngushtë të familjes së kryebashkiakut Veliaj kanë marrë përfitime të paligjshme përmes shoqërive dhe individëve që kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos