Një 39-vjeçar nga Shkodra është arrestuar nga policia greke, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare.
Eduard Vushaj u vu në pranga nga autoritetet helene me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, pasi në vendin tonë rezulton i dënuar me 16 vjet burgim për vjedhje me armë, kryer në bashkëpunim.
“Si rezultat i informacionit të siguruar nga Fast Albania dhe DVP Shkodër si dhe shkëmbimit të këtij informacioni nëpërmjet Interpol Tiranës me homologët në Athinë, u finalizua operacioni “Kartela e kuqe”. Në kuadër të operacionit, Policia greke lokalizoi, kapi dhe arrestoi provizorisht me qellim ekstradimi shtetasin Eduard Vushaj, 39 vjeç. Në vitin 2016, Gjykata e Shkodrës e ka dënuar me 16 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja me armë”, sepse në vitin 2013, në fshatin Grabom, ky shtetas në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka ndaluar automjetin me të cilin lëviznin 2 shtetas dhe duke i kanosur me armë u ka marrë paratë dhe automjetin si dhe i ka plagosur të dy me mjet prerës (thikë)”, sqaron policia.
Ndërkohë, vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, për ekstradimin e 39-vjeçarit, në Shqipëri. (A2 Televizion)