I dënuar me burg përjetë, vrau një fëmijë në Gramsh, kapet në Greqi pas 29 vitesh

Nga Armand Bajrami
30 Janar 2026, 19:24 | Kronikë

Pas 29 vitesh në arrati është kapur në Greqi një shtetas shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një fëmije 9-vjeçar, ngjarje e ndodhur në muajin mars të vitit 1997 në Gramsh. Policia e Shtetit njofton se u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Kostandin Nishku, i njohur edhe me identitetet Baki Duzha 59 vjeç, lindur në Gramsh.

Identifikimi i tij u bë i mundur përmes krahasimit të fotografisë së vitit 1997 me atë të pasaportës false të vitit 2013. Interpol Tirana dhe Interpol Athina po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, shkruan A2 CNN.

59-vjeçari ishte dënuar në vitin 1998 me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta”, ndërsa prej vitesh fshihej në Greqi duke përdorur një identitet shqiptar të falsifikuar.

Sipas hetimeve, në mars të vitit 1997, Kostandin Nishku dhe një shtetas tjetër shkuan të armatosur në banesën e familjes së shtetasit me iniciale K.B., ku kërkuan një person që ishte arratisur nga burgu pasi vuante dënimin për vrasjen e vëllait të tij. Pasi familjarët nuk dhanë informacion mbi vendndodhjen, autori qëlloi për vdekje me armë zjarri djalin 9-vjeçar të kësaj familjeje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos