
I gjetën të katërt në një dhomë gjumi. Vetëm vajza e vogël ishte shtrirë mbi çarçafë, ndërsa të tjerët ishin në dysheme. Me shumë gjasë, e reja ka qenë e para që është ndjerë keq nga gazi. Në Porcari, një familje me origjinë shqiptare është shuar e tëra, me shumë mundësi për shkak të një kaldaje me defekt. Humbën jetën Arti Kola, 48 vjeç, që punonte si bojaxhi, bashkëshortja e tij Jonida, 42 vjeç, djali i madh Hadjar, 23 vjeç, elektricist, dhe vajza 15-vjeçare Xhesika, nxënëse.
Shtëpia e tragjedisë
Monoksidi i ka vrarë pa e kuptuar se çfarë po ndodhte, pasi gazi është pa erë. Djali ka qenë i fundit që është ndjerë keq; madje mendohet se ka qenë pikërisht ai që mbrëmë, rreth darkës, ka telefonuar për të kërkuar ndihmë, raporton “La Repubblica”, përcjell A2 CNN.
Shtëpia, në zonën Rughi, ishte e re, e blerë nga familja rreth një vit e gjysmë më parë; ata ishin shpërngulur aty vetëm pesë muaj më parë dhe po përfundonin ende punimet e sistemimit të banesës dykatëshe. Nuk është ende e qartë kush e ka instaluar kaldajën, e cila ishte e re, dhe nëse ka pasur ndonjëherë mirëmbajtje nga ndonjë teknik. Pikërisht mbi këto aspekte po përqendrohen hetimet e karabinierëve, pasi nuk ka dyshime për shkakun e vdekjeve.
Mbrëmë ka kërkuar ndihmë edhe vëllai i Arti Kolës, i cili ka hyrë në banesë bashkë me karabinierët dhe disa fqinjë, duke zbuluar trupat e pajetë. Edhe ai është helmuar dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spital në Pisa.
Hetimet
Ndërkohë, shtëpia në Porcari është sekuestruar, ashtu si edhe kaldaja, e cila sipas verifikimeve të para ishte e re. Familja po kryente punime në banesë. Sipas hetimeve paraprake, kaldaja ndodhej brenda shtëpisë dhe shërbente si impiant ngrohjeje autonom. Ishte ende në garanci, por është e mundshme që në vijim të hetimeve të caktohet një ekspertizë jo vetëm për kaldajën, por edhe për tubacionet, veçanërisht ato të shkarkimit të gazrave jashtë banesës.
Në shkollën e Xhesikës
Është e madhe tronditja në Institutin Gjithëpërfshirës Camogliano, ku Xhesika ndiqte klasën e tretë të shkollës së mesme të ulët. Shokët e saj të klasës e kaluan paraditen duke folur për atë që kishte ndodhur me mësuesit. “I lëmë të shprehin emocionet e tyre, siç na ka sugjeruar psikologu i shkollës, thotë drejtoresha Gioia Giulianni. - Ishte një vajzë plot jetë, ashtu siç janë zakonisht 15-vjeçarët”. Shokët e klasës po mbledhin punimet e saj. “Ata do të vendosin çfarë të bëjnë me to”, thotë drejtoresha. “Ka edhe disa poezi. Shkruante për lirinë dhe paqen”.
Qyteza e Porcari-t shpreh ngushëllimet
“Jemi të gjithë të tronditur dhe të pikëlluar nga kjo ngjarje tragjike, thotë kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili riktheu në mendje tragjedinë e ngjashme të ndodhur në zonë, të familjes Malanca, edhe ajo e ndodhur në shkurt, por të vitit 1992. “Komuniteti ynë bashkohet rreth të afërmve dhe miqve në një përqafim ideal për këtë ngjarje të rëndë që ka goditur Porcari-n. U prehshin në paqe, të gjithë së bashku”, thotë ai.
I mbijetuari
I vetmi i mbijetuar, vëllai i kryefamiljarit, pritet të shpëtojë. Personeli shëndetësor përdori respiratorin për ta mbajtur në jetë dhe e dërgoi me urgjencë në Spitalin Universitar në Pisa, ku mjekët ndërhynë menjëherë. Karabinierët po hetojnë dhe, sipas informacioneve të para, rrjedhja e monoksidit mund të jetë shkaktuar nga defekti i kaldajës. Por të gjitha verifikimet janë ende në proces.
Të helmuar edhe tre ushtarakë
Në përpjekje për të ndihmuar familjen e goditur nga rrjedhja e monoksidit, tre ushtarakë janë helmuar lehtë dhe kanë marrë menjëherë ndihmë mjekësore. Mendohet se ka qenë një i afërm që, pak pas orës 20 të mbrëmjes së djeshme, ka dhënë alarmin, sepse nuk arrinte të kontaktonte asnjë anëtar të familjes.
Karabinierët nuk përjashtojnë që vdekjet të kenë ndodhur disa orë më parë. Por do të jetë hetimi në vazhdim që do të sqarojë çdo aspekt dhe do të zbardhë shkaqet e sakta të kësaj tragjedie.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe një autoambulancë mjekësore nga Lucca, ambulancat e Kryqit të Kuq dhe Kryqit të Gjelbër të Porcarit, si dhe të Misericordia di Santa Gemma Galgani. Zjarrfikësit, së bashku me karabinierët, kanë kryer deri vonë në mbrëmje verifikime brenda shtëpisë, në përpjekje për të hedhur dritë mbi një aksident që i mori jetën një familjeje të tërë. (A2 Televizion)