Disa ditë pas ngjarjes së dhunës seksuale dhe nxitjes së përdorimit të lëndëve narkotike ndaj një vajze në Vlorë, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka pezulluar nga detyra dy policët e hetimit. Ky vendim erdhi pas hetimeve nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Vlorës, sipas të cilave dy policët kanë vonuar kryerjen veprimeve hetimore duke bashkëpunuar me dhunuesit.
“Siç jam angazhuar prej momentit të parë pasi u njoftova për këtë ngjarje, kam kërkuar verifikimin e veprimeve të Policisë së Vlorës për këtë ngjarje tronditëse. Për këtë qëllim Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë kanë hetuar veprimet e policisë së shtetit në këtë rast, duke çuar në vendimin e sotëm të Gjykatës Vlorë për pezullim nga detyra dhe ndalim dalje jashtë vendit të dy punonjësve të Drejtorisë së Policisë. Vonesa në kryerjen e veprimeve të plota hetimore që në momentin e parë është e pafalshme dhe më rëndë akoma bashkëpunim me dhunuesit”.
Emrat e punonjësve të Policisë janë nënkomisar Ervis Cipa dhe Ornela Hajrulla me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë.
Sipas Ballës “rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të shumicës së Policisë së Shtetit që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi”.
(A2 Televizion)