Atentati me 2 viktima në Shkodër, Policia jep detajet: Plagoset kamerierja 25-vjeçare

Nga A2 CNN
8 Shtator 2025, 10:06 | Kronikë

Atentati me 2 viktima në Shkodër, Policia jep detajet: Plagoset

Dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur, nga një atentat i ndodhur mëngjesin e të hënës në qendër të Shkodrës, raporton A2 CNN. Viktima janë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa i plagosur ka mbetur Erogen Vaso, vëllai i Denis Brajoviç, si dhe një kameriere që punonte në lokalin ku ishin ulur tre personat e mësipërm, 25-vjeçarja Meri Kaceri.

Autori i dyshuar i atentatit, Ragip Gila, është arrestuar nga efektivët teksa po përpiqej të largohej nga qyteti. Ai ishte larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes me motor, të cilin e kishte braktisur e më pas ishte larguar me automjet, por pasi ka përplasur makinën, ka vijuar në këmbë, por është kapur nga policia në një zonë periferike, shkruan A2 CNN.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali. “Dyshohet se shtetasi R. G. ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë janë plagosur shtetasi E. V. (B.), 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe shtetasja M. K., 25 vjeçe, e cila është dëmtuar lehtë. Gjithashtu, si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi A. P., ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë edhe shtetasi L. K. (L.), 31 vjeç, tha policia.

“Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Pas disa minutash ndjekjeje, bënë të mundur kapjen e tij dhe sekuestruan një armë zjarri automatike. Ndërkaq, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos