Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të sekuestrojë disa llogari bankare dhe aksione kompanish në pronësi të disa prej personave të akuzuar si të përfshirë në skemën e abuzimit me fondet e BE, mes të cilëve dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Llogaritë bankare iu janë sekuestruar dhe të akuzuarve të tjerë Ermal Kurtulaj, Gazmend Haxhia, Elton Marini, Bledar Lekan dhe Bjoa Ziaj.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.430, datë 15.07.2024, i ndryshuar me vendimin nr. 34, datë 09.08.2024, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestro preventive mbi disa llogari bankare, shuma të parave, e të tjera, si më poshtë vijon:
1. 14 323 125 (katërmbëdhjetë milon e treqind e njëzetë e tre mijë e njëqind e njëzetë e pesë) Lekë;
2. 15 542 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzetë e dy) Euro;
3. 42 318 (dyzetë e dy mijë e treqind e tetëmbëdhjetë) USD;
Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe ju përkasin personave nën hetim G.H., E.M; I.B., E.K., B.Z., B.L; dhe shoqërive tregëtare të personave nën hetim;
4. Sekuestro preventive mbi 19.4% të kuotave të shoqërisë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k..
5. Sekuestro preventive mbi tre automjete regjistruar në pronësi të personave nën hetim E.K dhe E.M”, shkruhet në njoftimin e gjykatës.
Ilir Beqaj akuzohet se ka abuzuar me fondet e BE-së gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAC. Përmes njerëzve të besuar, njëri prej të cilëve është Ermal Kurtulaj, ish-drejtues i projektit Eusair, pranë Agjencisë, ata dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash, përmes faturave fiktive për shërbime të pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë. (A2 Televizion)