Atentati me tritol ndaj Preng Gjinit në Tiranë, arrestohet në Dubai Elson Reçi

Nga A2 CNN
19 Gusht 2024, 23:05 | Kronikë

Atentati me tritol ndaj Preng Gjinit në Tiranë, arrestohet në

Elson Reçi, është i shumëkërkuari i radhës nga drejtësia shqiptare që përfundon pas hekurave në Dubai. Arrestimi i tij bëhet i ditur nga një njoftim për media i Policisë së Shtetit, që vlerëson për këtë operacion bashkëpunimin me autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Falë punës profesionale të Interpol Tirana dhe bashkëpunimit me Interpol Abu Dhabi u bë i mundur arrestimi i shtetasit E. R. me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. E. R. ishte person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 15.05.2024, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit “arrest në burg”, për veprat penale "vrasje për gjakmarrje” e mbetur në tentativë, “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, vepra këto të kryera në formë të veçantë të bashkëpunimi, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal” dhe "pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal". Nga hetimi i kryer nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton se E. R. ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e Preng Gjinit.”

Reçi akuzohet për një sërë veprash penale, më e rënda tentativa për të vrarë përmes një shpërthimi me tritol mbi urën e NSHRAK-ut në Tiranë, shtetasin Preng Gjini. Atentati që pa makinën e Gjinit të hidhej në erë ndodhi në 15 shtator të vitit 2020, me këtë të fundit që mbeti i plagosur rëndë.

Për eliminimin fizik të Preng Gjinit, grupi i Reçit kishte vendosur në pjesën e përparme të makinës së tij, 400 gramë tritol të llojit C4, duke kryer më pas shpërthimin e lëndës plasëse në distancë.

Atentati që në fillim dyshohej se lidhej me sagën e hakmarrjeve mes fiseve Reçi e Gjini, që i ka marrë jetën disa personave në Mirditë.

Elson Reçi është nipi i Kastriot Reçit, personit që u vra  me snajper nga tarraca e një pallati në janar të 2020, në qendër të qytetit të Rrëshenit. Në maj të këtij viti, në kuadër të megaoperacionit 'Metamorfoza 3', SPAK, goditi 7 grupe kriminale, njëri prej të cilëve operonte në Rrëshen dhe drejtohej nga Elson Reçi.

Tashmë pas arrestimit të tij pritet që autoritetet shqiptare të nisin procedurat për ekstradimin e Reçit dhe vendosjen e tij përpara drejtësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos