Qyteza bregdetare e Velipojës u trondit mbrëmjen e sotme nga të shtëna me armë zjarri, që lanë fillimisht të plagosur shtetasit Arsid Hoxha (22 vjeç) dhe Ersild Ishmi (33 vjeç).
Të plagosurit u transportuan me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës ku ndërruan jetë më pas. Policia e Shkodrës ka zbuluar se në drejtim të tyre është qëlluar me armë nga dy vëllezërit, e identifikuar si Eduart dhe Gëzim Frroku.
Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ka zbuluar në një prononcim për mediat se shkak për vrasjen me armë të Hoxhës dhe Ishmit, është bërë një konflikt i mbartur nga data 28 qershor, mes kamarierit dhe kuzhinierit të hotelit, që është në pronësi të vëllezërve Frroku.
Njoftimi i policisë:
Më datë 19.08.2024, rreth orës 21:00, në Velipojë, dyshohet se për motive të dobëta, dy vëllezërit E.F., dhe G. F., dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasit A. H., dhe E. I, të cilët u transportuan menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodër por si pasojë e plagëve të marra humbën jetën në spital.
Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, si grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Njëkohësisht është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë për sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje. (A2 Televizion)