Atentati ndaj prokurorit Ndoja, SPAK mbyll hetimin për 9 vetë, vranë dhe thurën plane vrasjesh

Nga Armand Bajrami
28 Maj 2024, 16:19 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimin dhe depozitoi në gjykatë dosjen ndaj anëtarëve të grupit kriminal të akuzuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, 1 nëntorin e vitit 2019 tek mbikalimi i Shkozetit.

Në ngjarje u plagos prokurori dhe Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut, si edhe shoferi Andi Maloku, që ndërroi jetë më pas në spital.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, në atentat kanë marrë pjesë Plaurent Dervishaj, kunati i ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha, Julian Meçaj, Bledar Polovina dhe Amar Shkëmbi, i njohur edhe me emrin Dritan.

Të gjithë ata kanë qenë bashkëpunëtorë të Redian Rrajës e Arion Halilajt, të identifikuar dhe arrestuar pas krimit dhe dënuar me burgim të përjetshëm në një proces të veçuar nga Gjykata e Posaçme.

Hetimi i SPAK, i ndihmuar edhe nga komunikimet e të dyshuarve në platformat Sky ECC dhe Enchrochat, ka provuar përfshirjen e të dyshuarve në ngritjen e infrastrukturës për ekzekutimin e personave të shënjestruar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targa të vjedhura për ndjekjen e viktimave, e deri tek sigurimi i informacioneve për lëvizjet e tyre edhe nga bazat e të dhënave shtetërore.

Sipas prokurorisë së Posaçme, disa prej të pandehurve kanë siguruar kushtet për vrasjen e prokurorit Ndoja dhe Rrumit të Shijakut edhe para atentatit, por edhe pas tij.

Në shënjestër të grupit kriminal për t’u vrarë, sipas SPAK, ka qenë edhe Genci Maloku, babai i shoferit të vrarë, për shkak të interesimit në organet e drejtësisë për indetifikimin dhe vendosjen para përgjegjësisë të vrasësve të të birit.

 Referuar hetimit, kushte janë krijuar edhe për vrasjen e Vullnet Muharremit dhe Arben Mërkurit, i njohur si Maneci i ekzekutuar më tetor 2022.

I pandehuri Ramazan Rraja, bashkë me Plaurent Dervishajn e Julian Meçajn është përfshirë në hedhjen e një sasie eksplozive në një hotel në Tiranë në pronësi të Luan Matës në maj 2020, ndërsa Genti Ndërjaku, i njohure dhe si Kili, ose Ekil Nderjaku, në bashkëpunim me persona të tjerë gjatë shtatorit 2020- janar 2021 kanë siguruar kushte për vrasjen e juristit Mitri Prifti.

Ndaj të pandehurve rëndojnë një sërë veprash penale, mes të cilave “vrasjes në rrethana cilësuese”, “vrasje e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë”, “sigurim i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Ndonëse për ta ka masa sigurisë “arrest në burg”, deri më tani, janë arrestuar vetëm Bashkim Haxhija, Endrit Sinani , Genti Ndërjaku, Juljan Pjetri dhe Ramaza Rraja.

Nga operacioni i koduar “Komplot” janarin e vitit 2023 u arrestua edhe Marsel Deçka, për të cilin SPAK i kërkon gjykatës të pushojë hetimin, pasi akuzat e ndaj tij nuk u provuan nga hetimi.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos