I pandehur tek "Plumbi i artë", Qoli mohon të ketë lidhje me vrasjen e nënë e bir

Nga Armand Bajrami
22 Janar 2026, 17:50 | Kronikë

Petrit Qoli, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme, mohoi të kishte lidhje me vrasjen e Fatmira Dedajt dhe birit të saj, Elvis Dedaj, ndodhur në Durrës në vitet 2013 dhe 2012. Për këto vrasje, SPAK ka ngritur dyshime se janë porositur nga i pandehuri dhe vëllai i tij, Festim Qoli, që ishte bashkëortak me Dedajn në një karburant.

“Kam një vëlla që mos e paça, Festim Qoli”, tha i pandehuri për të vëllain të shpallur në kërkim nga SPAK, teksa shpjegoi se ndërsa ai vetë merrej me peshkim dhe biznes, i vëllai ishte i përfshirë në shitjen e automjeteve të vjedhura.

“Nuk e di kush e ka vrarë, tha i pandehuri Qoli për Elvis Dedajn, që i referohej me nofkën Loshi. Vetëm llafe njerëzish. Loshi ka vjedhur drogë thonë. Ca të tjerë që kishte florinj në makinë a drogë”. Ndërsa vrasjen e Fatmir Dedës ai tha se e kishte mësuar nga i vëllai, Festimi, teksa ishte në timon në Përrenjas.

“Di që vrasësi ka hyrë dhe ka marrë sende me vlerë. E kam dëgjuar në media. Është vrarë te garazhi ku kishte shtëpinë”, tha Qoli.

Referuar deklarimeve të të penduarit Nuredin Dumani, SPAK pretendon se Elvis Dedaj është vrarë pas konflikteve për pronësinë e një biznesi, nëna e tij u vra për shkak se interesohej në prokurori dhe kërkonte zbardhjen e vrasjes së të birit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos