I penduari Dumani "zbërthen" krimet, dëshmia në gjyq: 2 deputetë kërkuan vrasjen e Talo Çelës

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2025, 19:43 | Kronikë

Nga vendimi për vrasjen e Talo Çelës, deri tek debati nëse porosia për ekzekutimin e tij u dha nga dy deputetë që ofruan një çantë me para, nga lista me 20-30 emra të shenjestruar për t’u vrarë tek kodet “Toto Rina” dhe “Covid 19” në aplikacionin SKY.

Detajet kriminale ishin pjesë e rrëfimit të Nuredin Dumanit, të penduarit të drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme. Në seancën e së martës, krah dy të të penduarve të tjerë të dosjes, Erion Alibej dhe Skerdi Tase, Nuredin Dumani vijoi t’i përgjigjet pyetjeve të avokatëve e të pandehurve.

I penduari tregoi se vendimin për Talo Çelën e kishte marrë pas ai kishte urdhëruar Altin Ndocin t’i vriste të vëllanë.  

“Pas konfliktit që pata me Talo Ccelën dhe Altin Ndocin doja të vriteshin ata, por jo nga dora jonë. Kjo më interesonte, pasi Altin Ndoci deshi të vrasë vëllanë tim, por ju bllokua arma. Unë doja ta ndihmoja të shkonin ata, jo ti vrisja unë”.

Me tej ai tha se i kishte thënë në një komunikim Talos, se ‘unë dua të vras vetëm ty’.  Me tej Dumani tha se ishte organizator i vrasjes së vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela, pasi i shërbente Talos dhe se vrasja ishte porositur nga Erion Alibej, që e akuzonte si pjesëmarrës në masakrën e Bradasheshit, ku u vranë dy familjarë të tij.

Por sipas të penduarit, për të vrasja kishte qenë edhe hakmarrje për vrasjen e shokut të tij Klevis Kapllani, ndërsa ishin paguar dy bashkëpunëtorët Enver Diva e Besmir Xhixha.  

I pyetur nga avokatja e të pandehurit Enver Diva, pse paguante Erion Alibej për hakmarrjet e tij personale Dumani u përgjigj. 

“Sepse e kishte ne listë. Unë si Nuredin Dumani nuk kam kërkuar pagesë. Atë ditë, ne kishim Dine Çamin si plan. Unë e spostova, thashë do vrasim Bujarin, pasi vranë Klevis Kapllanin. Donim ta merrnin vesh dhe kundërshtarët tanë që ne reagonim nëse na qëllonin”.

Nuredin Dumani tha se kishin një listë me 20-30 emra për t’i ekzekutuar dhe sipas tij, nuk kishte radhë, por cili të ishte objektiv më i lehtë vritej më parë. Gjatë seancës i penduari u përfshi në një debat të fortë me të pandehurin Enver Diva, që pasi mohoi përfshirjen e tij në vrasjen e Bujar çelës, i kërkoi Dumanit të tregojë deputetët që, sipas tij, kërkuan vrasjen e Talo Çelës.

“Cilët kanë qenë ata deputetë dhe biznesmenë që ke ardhur ke takuar me mua. Kanë ardhur 2 biznesmene dhe 2 deputetë dhe kanë thënë ‘gjallë a vdek e duam të vrarë Talo Celën’ dhe i kanë dhënë një çantë me lekë? Le t’i thotë ky. Unë".

Vetë Dumani mohoi këtë fakt, ndërsa i pandehur Diva nuk tregoi emrat e deputetëve, as kur u pyet nga prokurori, por duke shtuar “në një moment tjetër i tregoj, po në parlament i keni”.  

Gjatë dëshmisë së tij, Dumani rrëfeu edhe pseudonimet që përdoret në platformat e enkriptuara.

“Kam pasur disa pine. Pseudonimet kanë qenë ‘Covid19’, ‘Alcatraz’, ‘Toto Rina’. Vetëm në ‘sky’ kam përdorur covid 19 dhe Toto Rina’. 

Nuredin Dumani ndau edhe detaje mbi ekzekutimet e Emiljano Ramazanit e Rigers Runajt, duke pohuar se Erion Alibej paguante informatorë që i tregonin lëvizjet e tyre. 12 të pandehurit e “Plumbit të artë” akuzohen për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale në vend, mes të cilave vrasje me paramendim të kryera nga grupi kriminal dhe grabitje me armë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos