Detaje të tjera janë zbardhur nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej, në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme për shqyrtimin e dosjes ‘Plumbi i Artë’.
A2 CNN zbulon se në dëshminë e tij Alibej flet për ngjarjet që paraprinë atentatin e Bradasheshit në vitin 2019, ku mbetën të vrarë tre persona, mes tyre dhe një shtetas turk dhe lidhjet mes grupeve kriminale.
Sipas tij konflikti kishte nisur më herët dhe pohon se kishte qenë në kërkim nga policia pas një përplasjeje me armë me Xhoni Rustën, të cilin pretendon se e ka qëlluar në zonën e "5 Majit" në Tiranë.
"Mbaja armë në makinë. Kur më doli paralel, ishte Xhoni Rusta në timon. I qëllova", deklaroi ai.
Sipas Alibejt gjatë kësaj periudhe ai strehohej në zona të ndryshme, mes Durrësit dhe një fshati midis Elbasanit dhe Peqinit, ku banonin vëllezërit Aldo dhe Kevi Baho, shkruan A2 CNN.
Një tjetër element kyç është përmendja e një shtetasi turk, i cili ishte bashkë me Endritin gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, dhe që më pas mbeti i vrarë në atentatin në Bradashesh.
Sipas dëshmisë, kur ndodhi atentati, Endriti kishte qenë duke udhëtuar me një Range Rover me targa rumune, bashkë me familjarë dhe shtetasin turk. “E gjeta Endritin të ngrohtë, por pa shenja jete. Po ashtu dhe turku, dhe xhaxhai im. Ishte errësirë. Aty zakonisht ka patrullë policie, por atë natë nuk ishte,” shprehet ai.
Menjëherë pas atentatit, në banesën e viktimave mbërritën një sërë personash të njohur për drejtësinë, përfshirë Florenc Çapjan, Bledar Muçën dhe Ervis Caushllarin. “Muça më tha se i kishte thënë Endritit të bënte kujdes nga Suel Çela, ai i bën këto masakra,” deklaroi ai.
Pjesë nga dëshmia e Erion Alibejt në seancën gjyqësore
Pas një takimi që patën në shtëpinë e Suel Çelës, unë kam shkuar prapë në Angli. Në 2018 u ktheva përfundimisht në Shqipëri.
Kam pasur një "Audi" gri. Më patën thënë që Xhoni Rusta na vinte nga mbrapa.
Në një rast e njoha. Po kaloja tek "5 Maji" kur pashë që më ndiqte një makinë. Ishin 4 veta. Mbaja armë në makinë. Më parakaluan dhe kur i kisha paralel, ishte Xhoni Rusta në timon, unë i qëllova makinës. Për këtë më shpallën në kërkim. Nga kjo periudhe derisa ndodhi ngjarja e Bradasheshit unë isha në kërkim.
Rrija në shtëpinë time, por disa kohë tek një shok në Durrës. Shumicën e kohës kam qenë tek shtëpia e Aldo dhe Kevi Bahos. Ata jetojnë në një fshat mes Elbasanit e Peqinit.
Në qershor 2019 i bënë atentat Kevi Bahos.
Gjatë kësaj kohe mbaja kontakte me Anglinë, ndërsa Endriti vijonte aktivitetin në Holandë.
Hajdar Çopja e ka prezantuar Endritin me një djalë, të cilin Endriti e ka pasur ortak në narkotrafik deri në fund.
Ky person i kishte blerë një makinë Francit, makinë me vend të posaçëm për drogë. Kjo makinë ishte grabitur dhe kishin bërë fjalë për këtë.
Hera e parafundit që ka ardhur Endriti ishte në shtator 2018, bashkë me një shtetas turk, i njëjti që u vra në masakrën e Bradasheshit.
Unë u vetëdorëzova kur më vranë djalin e xhaxhait, Andi Zylyfi.
Unë kisha edhe një radio policie. Ma kishte siguruar dikush qe e njihja nga Genc Tafili.
Sa ishim larguar nga gëzimi familjar kur më telefonuan. Unë në atë moment pashë një X5 të bardhë të Mikael Qoses para fast-food të Dine Camit. Kur u shkëmbyem i thashë Mikaelit, a ke hekur aty. Jo, më tha, ca ka ndodh. I thashë, që i kanë gjuajtur Endritit. Bashkë me të në makinë ishte edhe Ervis Çopja, që i thërrisnin Liçe.
Shkova në Bradashesh. Atje ishin veç familjarët e mi, asnjë tjetër. Kur u nisëm nga xhaxhai, ishim tre makina. E para Range Roveri me targa rumune, që përdorej nga Endriti. Dy makinat e tjera ishin me gra dhe fëmijë. Endriti edhe pak i dehur, në momentin e nisjes i thotë kunatës sime, ik tek makina e grave. Ajo ishte në muajin e fundit të shtatzanisë.
Në Bradashesh i bëjnë atentat. Unë isha i pari që shkova në vendngjarje. Aty ishte errësirë. Aty gjithmonë rrinte një patrullë policie, por atë natë nuk ishte, çka më ngriti dyshime. Gjeta aty familjarët e mi, në një situatë që nuk e shpjegoj dot.
E para që ka hapur derën e Range Rover ishte bashkëshortja ime. Pastaj motra ime. Kishin pandehur një aksident fillimisht. E gjeta të ngrohtë Endritin. Shtetasi turk po ashtu. Edhe xhaxhai pas ishte i pajetë. Erdhi pastaj policia dhe ambulanca. Endriti i kishte plumbat nën krah. E çuam Endritin në spital, por më pas mësuam që ishte pa jetë.
Shkova në shtëpi, po vinin shumë miq, të afërm. Shumë shpejt erdhën Çapjat, Florenc Çapja, Bledar Muça, Ervis Çaushllari (Korçari).
I ndaj veç e i dëgjoj.
Bledar Muçën e takoja për herë të pare, Florenc Çapjen për herë të dytë.
Më thotë Bledar Muça, i pata thënë Endritit të bënte kujdes. Nga kush i them. Suel Çela, tha, askush tjetër, ai i bën këto masakra.
Ka qenë një benz gri, më tha.
(A2 Televizion)