Fillimisht u raportua se një zhurmë e fuqishme brenda perimetrit të burgut në Fushë-Krujë mund të ishte shkaktuar nga një defekt në gjenerator, por hetimet zbuluan se bëhej fjalë për shpërthim tritoli.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës. Vetëm se institucionet shtetërore e kanë vetë të paqartë orën kur ndodhi. Për Policinë e Shtetit në njoftimin zyrtar për shpërthimin thuhet se policia u lajmërua me një telefonatë rreth orës 22:45 minuta. Ndërsa vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tha se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 21:00.
Hetuesit zbuluan se persona ende të paidentifikuar e hodhën lëndën plasëse nga pjesa e jashtme e rrethimit. Sasia ishte e vogël dhe e përgatitur në mënyrë artizanale me nitrat. Tritoli ra pranë gjeneratorit dhe rreth 200 metra vendqëndrimit të administratës së burgut.
Zona nga u hodh lënda plasëse ka mungesë ndriçimi, ndërsa kamerat e sigurisë edhe përreth zonës janë sekuestruar për të ndihmuar në identifikimin e autorit.
Hetimet janë shtrirë në të paktën dy pista. E para dyshohet se sulmi të jetë kryer për të krijuar zhurmë për ndonjë tentative të mundshme arratisje. Ndërsa pista e dytë që po verifikohet ka bëjë me dyshimet nëse ndonjë prej të të burgosurve ka pasur konflikt me persona të tjerë të administratës së burgut dhe mund ta kenë porositur tritolvënien nga jashtë.
Kjo ngjarje ngre pikëpyetje për sigurinë në burgje, por vetë drejtoria e këtij institucioni në një reagim për mediat se nuk u cenua siguria e të dënuarve apo të paraburgosurve, pasi sipas tyre vendi ku u hodh lënda plasëse është zonë që nuk ndikon tek ta. (A2 Televizion)