Një 30-vjeçar që ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje është vënë në pranga. Bëhet e ditur se i riu, me rekorde të shumta kriminale qarkullonte i armatosur, me mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara si dhe posedonte lëndë të dyshuara narkotike.
G. P., 30 vjeç, u arrestua në afërsi të mbikalimit te Casa Italias. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurimit personal "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasja me dashje", mbetur në tentativë.
30-vjeçari, në vitin 2022 tentoi që të vrasë me armë zjarri një person. Gjatë kontrolleve, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë me krëhra e municion luftarak, dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara dhe sasi lënde të dyshuar narkotike. (A2 Televizion)