Inceneratori i Tiranës, Këlliçi: SPAK fshehu provat që implikojnë Veliajn

Nga A2 CNN
18 Janar 2024, 14:38 | Kronikë

Partia Demokratike vijon me akuzat e saj ndaj prokurorëve të SPAK në lidhje me çështjen e inceneratorëve. Sipas Belind Këlliçit, në këtë aferë është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë kryebashkiaku Erion Veliaj, por SPAK ka fshehur provat e kësaj.

“Në vendimin e gjyqtares Irena Gjoka, për masat e sigurisë ndaj punonjësve të Bashkisë Tiranë, shihet fare qartë se prokurori i kësaj dosje, Dritan Prençi ka fshehur:

1. Shkresën e Erion Veliajt dërguar ish-Ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, në të cilën kërkonte miratimin për të zhvilluar këtë koncesion, kërkesë të cilës ish-ministri i Financave i përgjigjet negativisht.

2. Komunikimin shkresor të Erion Veliajt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, të cilit i ridërgon kërkesën për miratimin e fillimit të procedurave për këtë koncesion. Arben Ahmetaj me një gjuhe dhe më të prerë dhe kategorike, i rikujton Veliajt se kjo kërkesë nuk është e bazuar në ligj, se studimi është i paplotë dhe se mungojnë fondet për të përballuar këtë koncesion.

3. Shkresat e dërguara në Këshill të Ministrave të ish-Ministrit Lefter Koka, ku citohet shprehimisht se ky është një projekt i kërkuar me ngulm nga Erion Veliaj, për të cilin vetë kryebashkiaku kishte filluar dëgjesat publike, pasi e  konsideronte si prioritar këtë koncesion.

4. Mbledhjen zyrtare të datës 28 shtator të vitit 2017, të Këshillit Bashkiak Tirane, ku Erion Veliaj me zë dhe figure mashtronte këshilltarët në vendimmarrjen e tyre, duke thënë se ky koncesion nuk do të sillte asnjë implikim financiar për Bashkinë Tiranë.

5. Të dhënat e dosjes hetimore ndaj Arben Ahmetajt, ku vetë drejtuesi i SPAK Altin Dumani si prokuror i kësaj dosje, përmend e-mailet e zyrtarëve të Bashkisë Tiranë, komunikime të cilat çuditërisht janë zhdukur nga dosja hetimore e Dritan Prençit.

6. Raportin e KLSH, të zhvilluar pranë Ministrisë së Financave ku citohet shprehimisht se Erion Veliaj nuk ka marrë miratimin e Këshillit Bashkiak për këtë kontratë koncensionare, e cila e futi Bashkinë Tiranë në një angazhim financiar 30 vjeçar, në vlerën 91 milionë euro”, tha Këlliçi.

Ish-kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të çojë para drejtësisë pronarët e vërtetë të kësaj sipërmarrje korruptive. “Nuk ka asnjë shqiptar në bote, që beson se në një aferë si inceneratori fantazmë i Tiranës, ku deri më sot janë vjedhur rreth 120 milionë euro, fajin e ka një ish- drejtor periferik i dalë në pension dhe një drejtor tjetër i Bashkisë Tiranë, i cili as në banjë nuk shkonte dot pa lejen e Erion Veliajt”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos