Për gati 3 orë me radhë ish-deputeti socialist, Jurgis Çyrbja dha shpjegime të premten para prokurorëve të SPAK. Seanca e marrjes në pyetje, e zhvilluar në kushtet e sekretit hetimor, nisi në orën 11:00, pasi Çyrbja mbërriti në SPAK nga paraburgimi i Durrësit, ku po vuan masën e “arrestit në burg”.
Në përballjen me prokurorët ish-ligjvënësi i akuzuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, “përkrahje e autorit të krimit” dhe “tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit” u shoqërua edhe nga avokati i tij, Ilir Murati.
Burime të sigurta pranë SPAK bënë me dije se në shpjegimet e dhëna prej tij Çyrbja ka mbajtur qëndrim mohues për të tre akuzat. Ai ka këmbëngulur se nuk ka qenë përdorues i aplikacionit SKY EÇ, se nuk ka marrë favore në zgjedhje nga njerëz të lidhur me krimin , apo të ketë ndihmuar persona që kërkoheshin nga drejtësia. Ish-deputeti ka sqaruar rrethanat e njohjes ose jo me persona të tjerë që përmenden në dosjen hetimore ndaj tij. Ish-ligjvënësi ka mohuar edhe dyshimet e SPAK se i kërkuar nga drejtësia Altin Hajri është ndihmuar nga Çyrbja gjatë qëndrimit në arrati në këmbim të sigurimit të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Sipas burimeve, Çyrbja ka pretenduar para prokurorëve se kishte votuesit dhe mbështetësit e tij dhe se nuk i nevojitej i tillë favor. Në kërkesën mes së cilës bindi gjykatën për të mbyllur në paraburgim ish-deputetin, SPAK pretendon se në 7 raste Çyrbja i ka kaluar personave ne kërkim nga drejtësia akte që përbënin sekret shtetëror dhe se i ka informuar për disa plane operacionale të Policisë së Shtetit për kontrolle ndaj tyre në zonën e Durrësit. Po sipas SPAK, Çyrbja ka pasur marrëdhënie miqësore me Altin Hajrin, ndërsa ishte në kërkim për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës.
Prokurorët e Posaçëm dyshojnë se Çyrbja ka ndërhyrë në favor të Hajrit në agjenci ligjzbatuese në vend, të gjitha në këmbim të sigurimit të votave ndaj tij në zgjedhje. (A2 Televizion)