Ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja, është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Sipas gazetarit të A2 CNN, Armand Bajrami, Çyrbja do i nënshtrohet një seance të marrjes në pyetje, për llogari të hetimit të nisur ndaj tij nga kjo strukturë.
Ai është arrestuar gati 3 javë më parë dhe ndaj tij po zhvillohen hetime nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’, për 3 vepra penale, atë të ‘korrupsionit në zgjedhje’, ‘të përkrahjes së autorit të krimit’ dhe të ‘tregimit të sekretit shtetëror’.
Sipas prokurorëve të posaçëm, gjatë kohës që ka qenë deputet, Çyrbja ka qenë një nga përdoruesit e SKY ECC dhe ka mbajtur kontakte me njerëz të botës së krimit.
SPAK thotë se në të paktën 7 raste, Çyrbja është vënë në dijeni në lidhje me të dhëna që konsideroheshin si sekret shtetëror dhe ia ka përcjellë personave të tretë. Pra ai dyshohet të ketë marrë dijeni për disa operacione policore në zonën e Shijakut dhe ka njoftuar personat në kërkim.
Ai dyshohet se ka mbajtur lidhje të forta me Altin Hajrin, personin e dyshuar për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës.
Kujtojmë se Çyrbja në vlerësimin e masës së sigurisë në GJKKO, ka mohuar akuzat dhe po ashtu ka mohuar se ka përdorur SKY ECC. (A2 Televizion)