Ish-ministri i Rendit: Prokuroria dhe Policia japin statistika të ndryshme për krimin, fshehin krime

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2025, 21:48 | Kronikë

Bajram Yzeiraj, ish-ministër i Rendit,  i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se “Prokuroria dhe Policia japin statistika të ndryshme për krimin” dhe askush nuk i vë para përgjegjësisë.

“Policia është në krizë morale, krize sigurie në vetvete. Ama, siguria nuk është vetëm e policisë. Kur ka dështim, si në këtë rast, policia nuk ndihet. Ato që shkruhen në VKM për strategjinë kundër krimit të organizuar, janë futur në sirtar dhe nuk merret njeri. Në praktikë, menaxhimi është i dobët. Aktorët e tjerë që kanë përgjegjësi, përjashtohen nga barra dhe ajo i lihet vetëm policisë. Policia e ka kuptuar si i do politika shifrat: jep një përqindje të lartë zbulimi dhe je në rregull. Thonë që 94% është zbulueshmëria e krimeve të ndodhura dhe janë në rregull, jemi të parët në botë për zbulueshmëri krimesh”, tha fillimisht Yzeiraj.

“Kur kam qenë në ministri, ua kam kërkuar ministrave ta ndryshojnë këtë politikë, që është si çelës për të kurdisur policinë. Në polici ka shumë heshtje, nuk raportojnë sepse nuk janë të sigurt. Heshtin dhe buzëqeshin sepse ashtu e do shefi, ashtu e do ministri. Po të krahasosh raportin që jep Prokuroria e Përgjithshme me raportin e Policisë së Shtetit, gjejmë se Prokuroria jep rritje të kriminalitetit, kurse policia thotë ulje për vitin 2024. Policia thotë e kam 94% zbulueshmërinë, ndërsa Prokuroria thotë se dërgojmë në gjykatë 36%, pushon mbi 30% dhe pezullon deri në 36%. Do të thotë që vetëm 1/3 e kriminalitetit shkon në gjykatë. 2/3 pezullohen. Por, këto të pezulluarat janë ato që policia i quan krime të zbuluara”, shtoi ish-ministri.

“Pra, dy institucione të shtetit, përgjegjës për kriminalitetin japin statistika të ndryshme dhe nuk i kërkohet se kush gënjen nga këto dy institucione. Ka probleme të politikave të vjetra që nuk duan t’i zëvendësojnë me të reja”, theksoi më tej Yzeiraj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos