“Jam në gjyq për shpifjen…”, gazetari tregon rastin e tij

Nga A2 CNN
30 Janar 2026, 09:46 | Kronikë

Gazetari dhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Isa Myzyraj, ka denoncuar publikisht presionin që, sipas tij, sistemi i drejtësisë ushtron ndaj gazetarëve përmes mbajtjes së shpifjes si vepër penale. Në një intervistë për emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, Myzyraj tregoi se prej katër vitesh ndodhet në një proces penal për shpifje, i cili ende nuk ka përfunduar në shkallën e parë.

Sipas tij, çështja lidhet me postime në rrjete sociale, ndërsa procesi ka kaluar në 36 seanca gjyqësore, duke u kthyer në një barrë të rëndë profesionale, financiare dhe personale. “Qëllimi i shpifjes penale pra kur subjekti të çon në gjyq nuk është në fakt dënimi ose zbardhja e së vërtetës. Është t’iu nxijë jetën gazetarëve. Sepse 36 seanca nuk janë thjesht 36 ditë. Janë 36 ditë pune janë është avokati që duhet ta paguash, është koha shumë e gjatë, janë katër vite. Pastaj është Apeli... Qëllimi kur dikush të çon për shpifje në gjykatën penale është se do të të nxijë jetën”, tha Myzyraj, përcjell A2.

Ai theksoi se depenalizimi i shpifjes ka qenë prej vitesh një kërkesë e Bashkimit Europian dhe e raporteve të OSBE/ODIHR, por institucionet shqiptare kanë refuzuar vazhdimisht ta heqin nga Kodi Penal. Sipas Myzyrajt, një proces penal për shpifje mund të zgjasë me vite, ndërkohë që çështje shumë më të rënda, përfshirë vrasje, kanë përfunduar më shpejt në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Gazetari kritikoi edhe ndryshimet e fundit ligjore, të cilat, sipas tij, përbëjnë një “dekriminalizim gjysmak”, pasi shpifja mbetet vepër penale dhe përjashtimi vlen vetëm për “gazetarë të regjistruar”, në një vend ku profesioni i gazetarit nuk është i rregulluar me ligj dhe nuk ekziston një regjistër zyrtar.

Myzyraj paralajmëroi se kjo qasje hap rrugën për rregullimin e detyruar të profesionit dhe vendosjen e një “statusi gazetari”, çka, sipas tij, përbën rrezik serioz për lirinë e medias. “Gazetaria nuk është profesion që licencohet si dentist apo infermier. Ne nuk japim receta, ne informojmë publikun”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos