Kallëzimi i gjyqtarëve për pagat, SPAK "zbarkon" në Kuvend e tek Financat, nisin pyetjet

Nga Armand Bajrami
18 Shtator 2026, 15:53 | Kronikë

Votimi në parlament dhe dekretimi me urgjencë nga Presidenti i Republikës i ligjit për pagat e magjistratëve, nuk ka ndalur SPAK-un, ingranazhet e të cilit kanë nisur të lëvizin ndaj atyre që lanë pa paga gjyqtarët e prokurorët.

Struktura e Posaçme ka nisur veprimet konkrete për hetimin e kallëzimit të bërë nga gjyqtarët drejt Ministrit të Drejtësisë, Petrit Malaj, sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, Gentian Këri dhe12 përgjegjës të degëve të thesarit. 

Pas regjistrimit të kallëzimit penal më 10 shtator dhe verifikimit paraprak, SPAK ka filluar marrjen në pyetje të zyrtarëve të përfshirë në procesin e mosekzekutimit të pagave. Deri më tani në strukturën e posaçme është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni, Elmira Peto, përgjegjëse e Thesarit Tiranë.

Më herët, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në disa institucione, për administrim provash shkresore, përfshi Kuvendin e Republikës dhe Ministrinë e Financave. Në Kuvend, SPAK ka marrë procesverbalin e Këshillit të Legjislacionit për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. 

Tek Financat, agjentët e BKH kanë administruar gjithë praktikën dokumentare, nga listë pagesat e anuluara tek urdhrat shkresorë të përcjellë për mosekzekutimin e tyre. Si provë është marrë edhe vendimi i Kushtetueses, si edhe vendimmarrjet e KLGJ e KLP për formulën e rritjes së pagës.  

Në kallëzimin e depozituar në SPAK gjyqtarët pretendojnë se zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe degëve të Thesarit kanë konsumuar veprat penale të "shpërdorimit të detyrës", "pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës" dhe "mosekzekutimit pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos