
Është arrestuar në Peshkopi një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar në Itali, me 9 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
“Në vijim të bashkëpunimit nëpërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Dibër, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, gjatë së cilës u kap në Peshkopi dhe u arrestua shtetasi: -Gëzim Dani alias Gëzim Hidri, 40 vjeç”, thuhet në njoftim.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Apelit e Napolit, me vendimin e datës 15.11.2021, e ka dënuar me 9 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, sepse ka shfrytëzuar vajza nga Evropa Lindore, për prostitucion, në zonën e Napolit, në vitin 2009”, vijon njoftimi.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurën për ekstradimin e 40-vjeçarit, në Itali. (A2 Televizion)