Arrestohen në Itali dy shqiptarë, ja për çfarë akuzohen

Nga A2 CNN
18 Shtator 2026, 11:39 | Kronikë

Arrestohen në Itali dy shqiptarë, ja për çfarë

Policia italiane ka arrestuar dy shqiptarë të cilët kërkohen nga drejtësia në vendin tonë pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Në pranga ra Muhamet Bedulla, 33 vjeç, të cilin Gjykata e Korçës, në vitin 2018, e ka dënuar me 10 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. Në vitin 2017, ky shtetas ka tentuar të vrasë shtetasin A. S. (babai i shtetasit me të cilin ishte konfliktuar në Korçë), të cilin e ka plagosur tri herë me mjet prerës (thikë). Nga dënimi 33-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 3 vjet dhe 4 muaj burgim.

Gjithashtu u arrestua edhe Uendi Braçja, 26 vjeç, të cilit Gjykata e Elbasanit, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2024, shtetasi U. B. është kapur duke shitur lëndë narkotike Cannabis Sativa, dhe akuzohet se ka mbajtur në banesë, sasi të konsiderueshme fishekësh luftarakë dhe 2 krehra pistolete.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë të bashkëpunojnë për të finalizuar procedurat për ekstradimin e të dy shtetasve, në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos