Policia e Mirditës ka finalizuar një operacion për goditjen e një rasti të tentativës për shitjen e lëndëve narkotike Cannabis Sativa.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se në këtë operacion janë sekuestruar 5 thasë me lëndë të dyshuar Cannabis Sativa (në total 38.8 kilogramë) dhe 2 automjete.
Po ashtu, Policia bën të ditur se ka identifikuar 3 shtetasit e dyshuar që po transportonin lëndën narkotike dhe i ka shpallur ata në kërkim.
Njoftimi i Policisë:
Mirditë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Green harvest”, për goditjen e një rasti të tentativës për shitje të lëndës narkotike Cannabis Sativa.
Sekuestrohen 5 thasë me lëndë të dyshuar Cannabis Sativa (në total 38.8 kilogramë) dhe 2 automjete.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 shtetas që dyshohet se posedonin lëndën narkotike, me qëllim shitjen.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Green harvest”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet që kishin siguruar për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar punën dhe mbrëmjen e djeshme kanë ndërhyrë në aksin rrugor “Shpal - Blinisht”, duke iu bërë shenjë për ndalim, 3 shtetasve që dyshohet se po transportonin lëndën narkotike, me 2 automjete.
Sapo kanë konstatuar punonjësit e Policisë, 3 shtetasit kanë braktisur automjetet dhe duke përfituar nga errësira dhe nga terreni malor, kanë mundur të largohen.
Gjatë kontrollit në 2 automjetet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 5 thasë më lëndë të dyshuar nakotike Cannabis Staiva, me peshë totale 38.8 kilogramë.
Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. R., 40 vjeç, D. R., 35 vjeç, banues në Krujë (vëllezër) dhe M. Sh., 27 vjeç, banues në Fushë Arrëz, Pukë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike, me qëllim ndarjen dhe shitjen në sasi të vogla në qytet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)