Kardinalit shqiptar Ernest Simoni i vjedhin banesën në Firence

Nga A2 CNN
18 Shtator 2026, 17:52 | Kronikë

Kardinalit shqiptar Ernest Simoni i vjedhin banesën në Firence

Banesa e kardinalit 97-vjeçar shqiptar, Ernest Simoni, në Piazza Duomo të Firences, është vjedhur gjatë kohës që ai ndodhej në Londër për një takim zyrtar me Mbretin Charles III.

Autorët arritën të depërtonin brenda apartamentit të tij duke shembur një pjesë të murit dhe duke hapur derën e blinduar. "Corriere" raporton se hajdutët kanë marrë sende me vlerë mbi 30 mijë euro.

Gjatë grabitjes, banesa ku kardinali jeton me nipin e tij, Tonin Simoni, ishte tërësisht e zbrazët. Pasi u larguan rreth orës 13:00 dhe u kthyen në orën 23:00, familjarët u përballën me sirtarë të përmbysur, valixhe të hapura dhe daltat e përdorura nga autorët të braktisura në korridor, përcjell A2.

Nga banesa u morën para, bizhuteri floriri, medalje si dhe një vulë e çmuar. Ajo që ngriti pikëpyetje të mëdha te hetuesit ishte marrja e lejes së qëndrimit të vetë kardinalit Ernest Simoni.

Nipi i kardinalit, Tonin Simoni, u shpreh: “Nuk e prisnim kurrë një gjë të tillë. Mendonim se ishim të sigurt. Është e pabesueshme që një grabitje e tillë të ndodhë në Piazza Duomo, ndoshta edhe në mes të ditës. Është një turp për qytetin… Jam i bindur se na kishin vëzhguar, e dinin saktësisht që nuk ndodhej askush në shtëpi. Vjedhja e lejes së qëndrimit është e çuditshme; nuk e kuptoj pse mund t’i duhej dikujt".

Ekspertët e policisë shkencore dhe karabinierët kanë sekuestruar kamerat e shumta të sigurisë në Piazza Duomo — një nga zonat më të monitoruara të qytetit — ndërsa mbetet enigmatike se si askush nga fqinjët, përfshirë priftin që banon një kat më poshtë, nuk dëgjoi zhurmën e shembjes së murit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos