
Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë në një kërkesë drejtuar KLGJ-së dhe Ministrisë së Drejtësisë kërkon rishikimin urgjent të hartës gjyqësore duke e konsideruar këtë të fundit një dështim. Në deklaratë theksohet se centralizimi i tejskajshëm i gjykatave, veçanërisht në nivel apeli, ka krijuar mbingarkesë serioze dhe vonesa të papranueshme në shqyrtimin e çështjeve, raporton A2CNN.
“Sot, pas një periudhe të mjaftueshme zbatimi, është e qartë se centralizimi i tejskajshëm i gjykatave, veçanërisht në nivel apeli, ka krijuar mbingarkesë serioze, vonesa të papranueshme në shqyrtimin e çështjeve dhe kosto të shtuar për qytetarët dhe profesionistët e së drejtës. Aksesi real në drejtësi është vështirësuar ndjeshëm, sidomos për qytetarët që jetojnë larg qendrave të përqendruara gjyqësore. Kjo situatë krijon një cenim të drejtpërdrejtë të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, duke e shndërruar të drejtën për ankim në një mjet formal dhe jo efektiv, në kundërshtim me standardet kushtetuese dhe konvencionale”, thuhet në deklaratë.
“Në mënyrë të posaçme, konsiderojmë se rikthimi ose krijimi i të paktën tre Gjykatave të Apelit, të shpërndara mbi bazën e kritereve të ngarkesës reale, densitetit të çështjeve dhe aksesit gjeografik, do të përmbushte më mirë kërkesat kushtetuese dhe konvencionale për një drejtësi efikase, të aksesueshme dhe funksionale”, vijon deklarata. (A2 Televizion)