Pas gati 1 viti në betejë gjyqësore në pozitat e një kryebashkiaku të zgjedhur, por të pamandatuar, të premten në Apelin e Posaçëm, Afred Beleri ishte edhe në cilësinë e një eurodeputeti grek.
Në përfundim të një seance që zgjati gati 4 orë, Apeli e deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe caktoi 25 qershorin për seancën ku do të shpallë vendimin përfundimtar ndaj Belerit. Para treshes gjykuese të Apelit, Beleri kërkoi prishjen e dënimit me 2 vjet burg të dhënë nga Shkalla e Parë për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje” dhe deklarimin e tij të pafajshëm.
Përmes avokates Klodiana Gjyzari, Beleri pretendoi paligjshmëri të përgjimeve të dosjes, deklarime të rreme nga bashkëpunëtori i policisë në këtë çështje, dëshmitari Arsen Rama, falsifikim të disa provave në dosje dhe shkelje proceduriale të kryera nga SPAK. Nga kafazi i hekurt, i pandehuri Beleri konfirmoi pretendimet e avokates duke e mbyllur me pak fjalë qëndrimin e tij: “Shikohet qartë që jam arrestuar me dëshirë të kryeministrit. Provat janë manipuluar. Unë e kam ndërgjegjen time të qetë. Edhe ju që do merrni një vendim uroj që ta keni ndërgjegjen e qetë”.
Prokurorët e SPAK i konsideruan të pabaza pretendimet e mbrojtjes. Sipas tyre, çdo veprim hetimor ishte kryer në zbatim të ligjit. Në përfundim, ata kërkuan lënien në fuqi të dënimit me 2 vjet burg për Alfred Belerin dhe 3 vjet shërbim prove për Pandeli Kokaveshin. Prej arrestimit të tij, më 12 maj të vitit të shkuar, Belerit i është refuzuar në të tre shkallët e gjykimit leja e posaçme për t’u betuar si kryebashkiak.
Nëse në 25 qershor Apeli le në fuqi dënimin ndaj tij, Alfred Beleri humb çdo mundësi për t’u bërë qytetari i parë i Himarës. (A2 Televizion)