Mbetet e pandryshuar masa e sigurisë për Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin.
Dy ditë pasi u mor i pandehur për dosjen "Partizani", Jamarbër Malltezi është rikthyer në Gjykatën e Posaçme. Apeli i kësaj gjykate shqyrton sot kërkesën e tij dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha, për zëvendësimin e masës së sigurisë "arrest në shtëpi".
Dy ditë më parë, më 11 shtator, ish-kryeministri Sali Berisha u mor i pandehur nga SPAK për dosjen “Partizani”, ku prokurorët i komunikuan akuzën për veprën penale "korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë".
Për këtë aferë, akuzat për korrupsion dhe pastrim parash iu komunikuan edhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.
Ndërsa dje u morën të pandehur edhe biznesmenët Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja. SPAK vlerësoi t'i komunikojë Bektashit akuzën e "korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë shtetërore" dhe "pastrim të parave", ndërsa Begesë akuzën e "pastrimit të parave".
Vendimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 13.09.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 182 akti, datë 04.09.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 400 akti, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (me objekt: Informacion dymujor në kuadër të procedimit penal)”, në lëndë të masave të sigurimit personal dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 400 akti, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. (A2 Televizion)