Gazetari Bledian Koka ka reaguar ashpër pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në mesnatë në Manëz, ku dy të rinj humbën jetën. I ftuar në emisionin Off the Record të Andrea Dangllit në A2 CNN, ai e cilësoi vrasjen si një akt tronditës që tregon degradimin e thellë social në vend.
“Kjo është një ngjarje që nuk ka ndodhur në Manëz as në vitin 1997, atëherë kur ishin armët. Një ngjarje e këtyre përmasave nuk ka ndodhur as në kohët më të errëta që ka kaluar shoqëria jonë,” tha Koka, duke theksuar se e njeh mirë zonën pasi ka kaluar rininë atje dhe vijon ta vizitojë shpesh.
Ai kërkoi një hetim të thellë për rastin, duke vënë në dukje se lidhjet familjare mes të përfshirëve mund të kenë një rol që ende nuk është zbardhur plotësisht.
“Ngjarjet në Shqipëri prodhojnë dëshpërim, prodhojnë dhunë. Ky është produkt i një shthurjeje totale që ka pësuar shoqëria shqiptare. Ajo që është më e rëndë sot, më shumë se çdo vrasje, është humbja e shpresës,” shtoi gazetari. (A2 Televizion)
