Korrespondentja e A2 CNN në Durrës, Elitjon Doko ka sjell në Off the Record detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Manzë, ku dy të rinj Flori Paluçi dhe Aranit Kurti humbën jetën pas një sherri që lindi për një filxhan kafeje të munguar.
Doko tha në Off the Record se të tre personat e përfshirë në ngjarje njiheshin me njëri-tjetrin dhe ishin të skeduar nga policia për vjedhje dhe narkotikë. Ajo zbulon se në këtë krim janë përdorur dy pistoleta, por asnjë prej tyre nuk është sekuestruar.
Policia ka shoqëruar 8 persona, ndërkohë që dy prej dyre mund të ndalohen pasi mund të kenë ndihmuar autorin e ngjarjes të largohet.
“Dëshmitarët thonë se janë persona si të skeduar dhe që policia ka pasur të dhëna për të shkuarën e tyre. Daniel Pepa është ende në kërkim. Për të tre personat kanë qenë të njohur që njiheshin. Shkonin në kafe shpesh në Manzë. Kanë qenë të skeduar për vjedhje me dhunë dhe narkotikë. 3 familjet janë shumë pranë njëra-tjetrës dhe ka frikë se mund të ketë ndonjë hakmarrje. Policia po i mban në kontroll. 8 persona janë shoqëruar për ngjarjen. 2 persona mund të ndalohen pasi mund të kenë ndihmuar Daniel Pepën për t’u larguar. Janë përdorur dy armë zjarri, por asnjë nuk është sekuestruar si provë. Pra mund të ketë dhe persona të tjerë të përfshirë”, shpjegon Doko.
Në orët e para të mëngjesit të mërkurës, 21-vjeçari Daniel Pepa debatoi me kamerierin për fikjen e ekspresit. Në këtë moment ka ndërhyrë 33-vjeçari Flori Paluçi, ky nxjerr armën dhe qëlloi Aranit Kurtin që shoqëronte Pepën. Më pas ky i fundit, merr armën në makinë dhe vret Paluçin. (A2 Televizion)