Kokaina në pleh, dënohen 10 të arrestuarit. Asnjë gjurmë e kimistit kolumbian

Nga Julian Kasapi
25 Qershor 2024, 19:44 | Kronikë

Gjykata e Posaçme dha vendimin për 10 pjesëtarët e përfshirë në laboratorin e drogës në Frakull të Fierit që importoi nga Kolumbia 485 kg kokainë të tretur në pleh kimik. Të akuzuarit u shpallën fajtorë për trafik narkotikësh armëmbajtje pa leje e grup i strukturuar kriminal. Ata përfituan uljen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar me një total prej 89 vitesh burg dënim të cilin do ta kryejnë në në një burg të sigurisë së lartë.

Kokaina e trafikuar nga Kolumbia përmes një ngarkese me pleh organik u pikas fillimisht nga autoritetet malazeze me sinjalizim të DEA-s amerikane ndërsa për përftimin e lëndës narkotike grupi kriminal kishte kontraktuar 2 kimistë kolumbianë.

Droga u gjet më 24 nëntor të vitit 2022 në oborrin e banesës së ish-kryetarit të komunës Frakull, Viktor Cervanakut, në rreth 600 thasë me pleh kimik. Pas ekspertizës rezultoi se plehu kishte në përbërje rreth 485.5 kg kokainë. Gjatë hetimeve policia nuk mundi dot të bijë në gjurmët e njërit prej kolumbianëve, Saimir Rosales Rodrigues, një 49-vjeçar i cili përgjatë një muaji jetoi midis Tiranës dhe për shkak se nuk po gjendej një përkthyes grupi nuk avancoi në përftimin e kokainës nga plehu organik.

Me një pasaportë të lëshuar në Medellin në vitin 2015 Rodrigues shfaqet në sistemin e policisë gjatë verës në kryeqytetin grek. Ai fluturoi nga Athina drejt Malit të Zi në 13 korrik 2022 ku dhe qëndron në Podgoricë. Shfaqja e tij ndodh në të njëjtën kohë kur ngarkesa me pleh organik po i afrohej Ballkanit dhe portit të Tivarit në Malin e Zi.

Për të u fol gjatë por as SPAK dhe as policia nuk e kishte të qartë se si hyri ai në Shqipëri.  Autoritetet u bindën për kolumbianin kur ai u filmua duke hyrë në banesën e familjes Çervanaku dhe më pas teksa shoqërohej nga disa prej të arrestuarve largohet prej andej me mostrat e marra në thasët me pleh. Prej kësaj date policia nuk është në gjendje të dijë se si kolumbiani doli nga skena dhe se si ai është larguar nga kryeqyteti shqiptar në drejtim të paditur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos