Një meagaoperacion mes policisë Italiane dhe shqiptare ka arrestuar 12 persona, 5 prej të cilëve janë kapur në Shqipëri. Ata akuzohen se trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut drejt Italisë dhe Europës Qendrore. Mediat italiane thonë se hetimet kanë nisur që në vitin 2020, ndërsa personat e arrestuar janë pjesë e klanit Çela nga Elbasani.
Shkatërrohet grupi kriminal shqiptar që merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut për ta shitur më pas në Itali dhe në shtete të tjera të Europës Qendrore.
Operacioni i madh u nis nga autoritetet italiane me të cilat bashkëpunoi edhe policia e shtetit shqiptar, për shkak se 5 nga 12 personat e arrestuar u kapën në Elbasan, Shkodër e në Tiranë. Në të njëjtën kohë, 8 persona të tjerë vijojnë të jenë ende nën hetim. Si pjesë e grupit kriminal, në Spanjë u arrestua edhe 48-vjeçari Gerardo Pashja, i njohur edhe me emrin Astrit Pashja.
Në kërkim nga policia është shpallur edhe një 28 vjeçar, i cili kërkohet edhe për vepra të tjera penale, përveç asaj të trafikut të drogës. Sipas mediave italiane, hetimet për këtë grup nisën në vitin 2020, pas identifikimit të disa shpërndarësve të kokainës.
Dhe pas disa muajsh, në vitin 2021 një nga të dyshuarit u kap me 350 kg kokainë. Droga importohej nga Amerika e Jugut nëpërmjet automjeteve të modifikuara dhe shpërndahej në Itali dhe Europë. Sipas autoriteteve italiane, në krye të grupit kriminal ishin dy vëllezër nga klani Çela i Elbasanit, një nga bandat më të rrezikshme shqiptare.
Ata drejtonin operacionet e trafikut, përfshirë importimin, shpërndarjen e drogës dhe grumbullimin e të ardhurave, të cilat dërgoheshin në Shqipëri përmes linjës së autobusëve Breshia-Elbasan. Për të siguruar furnizime të drogës, vëllezërit udhëtuan në Kolumbi, Ekuador dhe Dubai, duke krijuar kontakte me furnizuesit kryesorë të kokainës.
SHQIPTARËT E ARRESTUAR
Igli Dervishi, 30 vjeç, banues në Elbasan
Shkëlqim Pashja, 44 vjeç, banues në Elbasan
Ervin Dema, 40 vjeç, banues në Elbasan
Edmond Zhuja, 41 vjeç, banues në Shkodër
Genti Berisha, 28 vjeç, banues në Tiranë
Gerardo alias Astrit Pashja 48 vjeç (A2 Televizion)