Policia e Tiranës ka vënë në pranga 4 persona në zonën e Kasharit, për shpërndarje të lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme.
Në kuadër të operacionit "Drug bar", policia ushtroi kontroll në një lokal, ku mblidheshin një grup të rinjsh që shpërndanin drogë në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit A. H., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 150 doza kokaine, 60 doza kanabisi me THC të lartë, 1 peshore elektronike, 5 maska, 4 shkopinj bejsbolli, celularë dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga veprimtaritë e paligjshme.
Të arrestuar janë shtetasit A. H., 36 vjeç, Ç. H., 52 vjeç, E. D., 27 vjeç dhe R. H., 21 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin lëndë narkotike në lokalin e 36-vjeçarit. (A2 Televizion)