Një nga mediat më prestigjioze në Britaninë e Madhe, "The Telegraph", i ka kushtuar një artikull të gjatë klanit kriminal shqiptar Çela–Çopja, duke e cilësuar si një nga sindikatat më të fuqishme të trafikut të kokainës në të gjithë kontinentin europian.
Ky grup kriminal u godit një javë më parë nga SPAK me 15 urdhër-arreste të lëshuara dhe 6 prej të cilëve vijojnë të jenë në kërkim. Ky rrjet trafiku u zbulua pas zbërthimit të bisedave nga aplikacioni Sky Ecc.
Sipas artikullit, i cili i referohet edhe SPAK, ky grup i strukturuar kriminal ka arritur të diktojë deri edhe çmimin e kokainës në Europë, duke kontrabanduar sasi të mëdha të lëndës narkotike nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të Bashkimit Europian.
Një kilogram kokainë në Mbretërinë e Bashkuar vlerësohet të kushtojë rreth 40,000 paund, krahasuar me 20,000 paund në Evropë.
Por ajo që vërtet ka tronditur autoritetet, janë përgjimet e zbuluara pas zbërthimit në platformën e enkriptuar të komunikimit Sky Ecc, ku krerët e grupit Franc Çopja, 33 vjeç, dhe Ervis Çela, 41 vjeç flisnin hapur për trafikun e kokainës, fshehjen e parave dhe investimet e tyre në pasuri të paluajtshme e ferma në Amerikën Latine.
Në një bisedë të përgjuar më 12 dhjetor të vitit 2020, Ervis Çela i shkruante Franc Çopjës se kishte plan për të fshehur paratë e pista nën tokë, në një plantacion me 200 rrënjë ullinj në Shqipëri.
Megjithatë, Çopja e paralajmëroi se kartëmonedhat do të kalbeshin nën tokë dhe e nxiti të këmbehej në shufra ari.
“S’ka ar... Duhet të grabis një bankë... Duhet ta porosis nga Afrika”, i përgjigjet më tej Çela.
Biseda më pas kaloi tek orët luksoze dhe tokat bujqësore. Po në të njëjtën ditë, ata komunikojnë sërish ku Çela paraqiti planet për të blerë dy ferma në Paraguai për 10 milionë paund, një investim që sipas tij do të sillte 1.8 milionë paund në vit.
Në një bisedë të ndarë me vëllain e tij në Sky ECC në nëntor 2020, Çela shkroi se 800,000 paund që i duhej nga një nga trafikantët e tyre po vonoheshin “për shkak të një rënieje në tregun e Britanisë së Madhe”.
Sipas aktakuzës prej 282 faqesh të lëshuar nga SPAK më 8 gusht, karteli dyshohet se ka tentuar të trafikojë 28 tonë kokainë gjatë viteve 2020–2021, përmes mallrave të fshehura në kuti sapuni, kanaçe boje dhe ngjitës industrial.
Një nga kapjet më të mëdha ndodhi më 12 shkurt 2021, kur 16.4 ton kokainë me pastërti të lartë, me vlerë në treg prej 3 miliardë paund, u sekuestrua në portet e Hamburgut dhe Anversës, një prej rasteve më të mëdha të konfiskimit të drogës në historinë e Europës. (A2 Televizion)