Të hënën në orën 12.00 është caktuar seanca gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës dhe marrjen në pyetje të Ilir Beqajt.
Kujtojmë se SPAK ka zyrtarizuar të shtunën hetimin për ish-ministrin e shëndetësisë lidhur me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Më herët gjatë ditës së sotme, Gjykata Kundër Korrupsion dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit për ish-ministrin Beqaj.
Ish-ministri i Shëndetësisë akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderë në lidhje me koncesionin për sterilizimin e pajisjeve mjekësore.
Në bazë të masës së sigurisë të vendosur, Beqajt do t’i duhet të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.
Në njoftimin e GJKKO shkruhet se hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.
Pas caktimit të masës së sigurisë, Beqaj dha dorëheqjen nga posti që mbante si drejtues i Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe te Koordinimit të Ndihmës së Huaj, në varësi të kryeministrit. (A2 Televizion)