Policia e Tiranës ka zhvilluar një operacion të gjerë në rrethin e Krujës, si pjesë e hetimeve intensive për zbardhjen e atentatit të datës 11 nëntor në rrethrrotullimin e Rinasit.
Policia ka bastisur një banesë në fshatin Zall të Fushë-Krujës, e cila dyshohet se shërbente si bazë e një arsenali të rrezikshëm armësh dhe lëndësh plasëse, shkruan A2.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar sasi të konsiderueshme municionesh dhe armësh. Në banesë janë gjetur dhe sekuestruar 3 kallëpë tritoli, 12 granata dore sulmuese, lëndë plasëse të montuara me kapsolla dhe celularë të gatshëm për shpërthim, të cilat funksiononin si mina.
Po ashtu, janë sekuestruar 3 ndezës granatash, disa kapsolla detonatore, 5 celularë, si edhe 4 armë zjarri, përfshirë automatikë dhe pushkë.
Në total, nga banesa janë gjetur rreth 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe mbi 2 kilogramë kanabis.
Policia ka shpallur në kërkim pronarin e banesës, 48-vjeçarin Ylli Zalla. Policia njofton se po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari, me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit. (A2 Televizion)
