Ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit të premten në orën 10:00 në SPAK, ku do të pyetet si person në dijeni për llogaritë e dosjes “21 janari”.
2 orë e 30 minuta më vonë, ish-kryeministri e justifikoi mosvajtjen në SPAK me faktin se nuk kishte marrë fletë-thirrjen:“Sa është sot data? Sot është data 14. Nga data 3 që pretendohet, deri me datën 14, ai dokument mund të vinte 5 herë në zyrën time, në shtëpinë time apo në Parlament”.
Nga ana tjetër, SPAK njoftoi zyrtarisht se ish-kryeministrit i janë dërguar dy herë urdhër-thirrjet, shkruan A2. E para, sipas SPAK, i është dërguar në datën 3 nëntor në adresën e banesës. Fletëthirrja është kthyer pas në SPAK me shënimin “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf”.
“Është një gënjeshtër absolute. Ato roje janë njerëz të përgjegjshëm. Këta janë njerëz të pafytyrë. Janë njerëz të përgjegjshëm të cilët më kanë dorëzuar mua çdo lloj dokumenti që ka ardhur aty”, tha Berisha.
Por, sipas reagimit të SPAK, pas dështimit të parë, më 7 nëntor Struktura e Posaçme ka përsëritur urdhër-thirrjen, por këtë herë, zarfi është dërguar në adresën e banesës së ish-kryeministrit, tek selia e Partisë Demokratike dhe në Kuvendin e Republikës. SPAK sqaroi sërish në banesën e ish-kryeministrit është refuzuar marrja e zarfit, ndërsa Kuvendi i Republikës ka njoftuar SPAK se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Nga ana e tij, Kuvendi ka sqaruar SPAK se e ka dërguar urdhër-thirrjen edhe në postën elektronike zyrtare të deputetit Sali Berisha.
“Ku e ka Parlamenti? Pse nuk e ka sjellë? Atëherë nëse kanë thënë këtë, janë mashtrues ordinerë. Unë nuk kam pranuar? Kujt ia kanë ofruar? Se unë nuk e kisha dëgjuar këtë. Po nëqoftëse këta thonë se ia dërguam dhe nuk e pranoi, këta janë mashtrues ordinerë. Janë të pafytyrë. Unë fatmirësisht tek pallati kam njerëz që marrin postën me firmë. Të nxjerrin firmën”, u shpreh Berisha.
Në përmbyllje të reagimit, Prokuroria e Posaçme nënvizoi se do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi. (A2 Televizion)
