Korrupsioni për "Toyota Yaris", SPAK kërkon 4.5 vite burg për ish-kryeprokurorin e Vlorës

Nga Armand Bajrami
15 Prill 2025, 13:06 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme, SPAK, i kërkoi gjykatës të shpallë fajtor dhe të dënojë me 4 vjet e 6 muaj burg, prokurorin Aurel Zarka. Sipas SPAK, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, i pezulluar nga detyra pas arrestimit të tij korrikun e vitit të shkuar, ka bërë korrupsion, duke dhënë e marrë para nga njerëz të sistemit të drejtësisë dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm në 3 raste, dy nga të cilët na bashkëpunim, me qëllim lehtësimin e të akuzuarve të dosjes “Toyota Yaris”.

Për shkak se çështja u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkuar, përfundimisht, për të zyrtarin që më herët përfaqësonte shtetin në sallën e gjyqit, u kërkua një dënim me 3 vjet heqje lirie.

Pretenca e SPAK ndaj Zarkës, u lexua në një sallë ku nuk ishte i pranishëm vetë prokurori i akuzuar. Në mënyrë të përmbledhur, prokurori i posaçëm, Klodian Braho, i tha gjykatës se hetimi kishte zbuluar se Aurel Zarka ka qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC. Nga komunikimet në këtë platformë, referuar të dhënave të përcjella nga autoritetet belge të drejtësisë, dhe provave të tjera prokurori ka bashkëpunuar me avokatin Radovan Ccela, i arrestuar për të njëjtin hetim dhe oficeren Erjon Daupaj, të shpallur në kërkim, për të ndikuar në çështje të caktuara kundrejt marrjes dhe dhënies së ryshfetit.

Në pretencë u përmenden edhe shifrat 10 mijë euro, apo 50 mijë euro për t’u dhënë tek drejtuesja e kohës së Prokurorisë së Tiranës me qëllim zbutjen e masave të sigurisë ndaj të dyshuarve të dosjes “Toyota Yaris”. Zarka u gjykua në një çështje të veçuar nga Çela dhe Daupaj. Referuar hetimit të SPAK të akuzuarit kanë ndërhyrë në 4 raste për dosjen “Toyota Yuaris”, dosje që nisi për “grup kriminal” e “pastrim parash”, por përfundoi me vetëm një të dënuar 1 vite e 6 muaj burg nga gjykata e zakonshme.

Po sipas SPAK, të dyshuarit kanë ndikuar në hetimin pasuror nga SPAK ndaj Suel Çelës, në një çështje për vjedhje dhe dy për “kultivim narkotikësh”. Nga ana tjetër, SPAK vijon hetimin në një procedim të ndarë në lidhje me persona të tjerë, apo episode të tjera korrupsioni, ku mund të jenë përfshirë tre të akuzuarit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos