U vra nga i dashuri, “La Sapienza” nderon studenten shqiptare

Nga A2 CNN
15 Prill 2025, 11:45 | Kronikë

U vra nga i dashuri, “La Sapienza” nderon studenten shqiptare

Universiteti prestigjioz “La Sapienza” në Romë ka nderuar studenten shqiptare Ilaria Sula, e cila humbi jetën tragjikisht pak javë më parë, pasi dyshohet se u vra nga ish-i dashuri i saj.

Ilaria, vetëm 23 vjeçe, studionte për shkenca statistikore dhe ishte pjesë aktive e komunitetit universitar. Ngjarja e rëndë preku thellë jo vetëm opinionin shqiptar, por edhe atë italian.

Në nder të saj, “La Sapienza” ka vendosur që salla më e madhe e re e studimit brenda Godinës së Teatrit të Ri Universitar të mbajë emrin “Ilaria Sula”. Ceremonia përuruese u zhvillua me rastin e 722-vjetorit të themelimit të universitetit, ku u inauguruan edhe dy hapësira të tjera studimi.

Në një pllakë përkujtimore të vendosur në sallë shkruhet:
“Ilaria, studente e Sapienza-s, për të mos harruar të gjitha gratë viktima të feminicidit, të cilave u është ndërprerë mundësia për të shkruar të ardhmen e tyre.”

Në ceremoni morën pjesë prindërit dhe vëllai i Ilaria Sulës. Babai i saj, Flamur Sula, falënderoi universitetin për nderimin e bërë dhe u shpreh me emocion: “Sot Ilaria rilindi.”

Studentja u shpall e zhdukur më 25 mars dhe, pas disa ditësh kërkime, u gjet e pajetë. Sipas autoriteteve italiane, ajo dyshohet të jetë vrarë nga ish-partneri i saj, shtetasi filipinas Mark Antony Samson, i cili e goditi tre herë me thikë dhe më pas e futi trupin në një valixhe, duke e hedhur në një zonë pyjore jashtë Romës.

Hetimet janë ende në vijim, ndërsa dyshohet se autori mund të jetë ndihmuar edhe nga persona të tjerë, përfshirë prindërit e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos