Korrupsioni te "Rrugorja", gjykata lë në burg oficerin Edison Tabaku

Nga Armand Bajrami
21 Prill 2025, 11:26 | Kronikë

Korrupsioni te "Rrugorja", gjykata lë në burg oficerin

Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për oficerin e Policisë Gjyqësore Edison Tabakun, të arrestuar për aferën e korrupsionit, ku dyshohet të jenë përfshirë dhe dy zyrtarët e Policisë Rrugore Roven Zeka dhe Sokol Novaku.

Tabaku ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën, por nuk ka dhënë deklarime.

Një aksident pa viktima i bashkëshortes së një biznesmeni u bë shkak për arrestimin e efektivit Tabaku dhe zyrtarëve në detyrë të Policisë Rrugore të Tiranës.

Burimet thanë për A2 CNN se para disa ditësh Edison Tabaku, Oficer i Policisë Gjyqësore shkoi për të këqyrur vendin dhe rrethanat e një aksidenti në kryeqytet.

Gruaja e përfshirë në ngjarje i kishte kërkuar që çështja të mbyllej aty për aty edhe kundrejt ndonjë shume parash, në mënyrë që të mos referohej në prokurori.

Të njëjtat burime i thanë A2 CNN se Tabaku e ka adresuar zonjën tek dy eprorët e tij, shefin e komisariatit rrugor, Roven Zekën dhe atë të aksidenteve Sokol Novakun me të cilët ka pasur biseda telefonike. Në to është përfshirë edhe bashkëshorti i saj biznesmen, të cilin SPAK e kishte ndërkohë nën përgjim për një tjetër dosje hetimore.

Si rrjedhojë në këto përgjime SPAK zbuloi se ata kanë komunikuar me njëri-tjetrin për ofrimin e një shume parash në mënyrë që çështja të mbyllej në favor të gruas së tij.

Prokuroria e Posaçme ende nuk ka dalë në një njoftim zyrtar për rastin, duke mbetur enigmë edhe emrat edhe shuma e ryshfetit që ata kanë ofruar.

Prej kohësh Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka vënë nën përgjim një numër të lartë personash për llogari të hetimeve të ndryshme në duart e prokurorëve. Nuk kanë munguar rastet si ky i fundit që nga bisedat të përgjuarit kanë rënë në pranga për çështje të ndryshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos