Në zbatim të vendimit për masën e sigurisë të dhënë nga Gjykata e Posaçme, e hëna e parë e muajit e solli deputeten Monika Kryemadhi në SPAK.
Mbërritja në godinë 10 minuta para mesditës, orarit të paraqitjes, i la hapësirë Kryemadhit të shkojë në kryesekretarinë e Gjykatës së Posaçme për të depozituar një ankim ndaj vendimit që i sekuestroi asaj dhe të ëmës dy vila tek Kodra e Diellit në kryeqytet. Më pas në pak minuta ezauroi edhe procedurën e “detyrimit për paraqitje”, shkruan A2 CNN.
Para gazetarëve, Kryemadhi e konsideroi sekuestron dhe kohën e njoftimit të saj, 5 minuta para gjyqit për masën në Apel, si një formë presioni nga SPAK. Kryemadhi ju përgjigj me diplomaci pyetjes nëse do t’i bashkohet protestës së 6 dhjetorit para SPAK të thirrur nga Ilir Meta, ndërsa ironizoi gjyqtarët, duke kujtuar kohën e Sali Berishës.
Monika Kryemadhi po hetohet nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje të pasurisë” në të njëjtën dosje me ish-presidentin Ilir Meta, i cili prej 23 tetorit qëndron në masën e sigurisë “arrest në burg”. (A2 Televizion)