Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 01:00 pas mesnate në qytetin e Kukësit, në zonën e njohur si "Sheshi Agjensia".
Një automjet tip Benz, ku udhëtonin dy të rinj, ka dalë nga rruga dhe është përplasur fillimisht me disa automjete të parkuara pranë rrugës, për të përfunduar më pas disa metra më poshtë pasi ka humbur kontrollin, shkruan A2.
Përplasja ka qenë tepër e fortë dhe si pasojë, dy të rinjtë që ndodheshin në automjet kanë mbetur të plagosur rëndë. Bëhet fjalë për një 22-vjeçar dhe një 17-vjeçar, të cilët janë dërguar fillimisht në urgjencën e spitalit rajonal të Kukësit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.
Për shkak të natyrës së plagëve, të rinjtë janë transportuar më pas drejt spitalit të Prizrenit për trajtim të specializuar. Gjendja e 17-vjeçarit është përkeqësuar ndjeshëm si pasojë e një hemorragjie të brendshme në kokë dhe dëmtimeve të organeve të brendshme. Rreth orëve të para të mëngjesit, ai është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku vijon të jetë në kujdesin intensiv.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se humbja e kontrollit mbi mjetin ka ardhur si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe mungesës së kontrollit nga ana e drejtuesit të mjetit.
Ky është aksidenti i dytë i rëndë brenda pak ditësh në qarkun e Kukësit. Vetëm dy ditë më parë, në një përplasje tragjike në Has, humbën jetën dy shtetas pas një aksidenti fatal mes dy automjeteve. (A2 Televizion)