Prej së mërkurës dosja penale e SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në duart e Gjykatës së Posaçme.
SPAK njoftoi zyrtarisht se kishte kopsitur dhe depozituar në gjykatë aktet e dosjes, ku kërkon gjykimin e kryebashkiaku në detyrë i kryeqytetit për 9 episode korrupsioni, për pastrim të parave, për futje të sendeve të ndaluara në burg në dy raste, për fshehje e mosdeklarim të pasurisë, si edhe për shpërdorim të detyrës.
Kryebashkiaku Veliaj është i pari në listën me 30 të pandehur në total të dosjes, nga të cilët 18 janë persona fizikë dhe 12 të tjerë, shoqëri tregtare dhe OJF, të marrë të pandehur në cilësinë e personave juridikë. Për nëntë rastet e dyshuara të korrupsionit kërkohet të gjykohet edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa. Përveç këtyre episodeve, Xoxe ka mbi supe edhe “pastrim të parave”, “deklarim të rremë të pasurisë” dhe “fshehje të të ardhurave”.
Pjesa me e madhe e biznesmenëve të pandehur janë marrë në përgjegjësi penale për “korrupsion”, ndërsa ish-punonjëse të OJF-ve të kontrolluara, sipas SPAK nga Ajola Xoxa, për “pastrim të parave”.
Mes të pandehurve është edhe deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, e cila akuzohet nga SPAK për “pengim të zbardhjes të së vërtetës”, pas dyshimeve se zhduku aparatin telefonik të një dëshmitareje dhe e instruktoi si duhet të përgjigjej në SPAK, shkruan A2 CNN.
Sipas hetimit të strukturës së Posaçme Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste kanë marrë ryshfet në formën e shumave monetare dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe OJF, që nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi, ose përfituar fonde nga Bashkia Tiranë.
SPAK pretendon se ka provuar se Veliaj si kryebashkiak ka firmosur shpërndarje fondesh, që më pas kanë përfunduar tek OJF që kontrolloheshin nga bashkëshortja e tij. Të pandehurit e akuzuar për “pastrim të parave”, thotë SPAK, kanë integruar në sistemin bankar shuma monetare të siguruara si ryshfet nga Veliaj.
Struktura e Posaçme radhit mes gjetjeve edhe blerjet online nga e pandehura Xoxa në një vlerë prej gati 86 milionë lekë të rinj.
Referuar hetimit, Ajola Xoxa ka zotëruar dhe qarkulluar të holla cash jashtë sistemit bankar, në shuma të konsiderueshme dhe në prerje të mëdha, që janë përdorur për shpenzime të OJF-ve, duke shmangur detyrimet tatimore dhe fshehur burimin e tyre.
Në lidhje me veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” SPAK pretendon se kryebashkiaku Veliaj, në dëm të interesave të shtetit, ka miratuar një leje ndërtimi për një objekt shumëkatësh mbi një sipërfaqe trualli ku bashkëshortja e tij ka interesa pasurorë. “Veprimet e të zgjedhurit vendor provohet se janë kryer në kushtet e konfliktit të interesit, në mungesë të plotë të kompetencës funksionale, si edhe në shkelje të procedurave që ligji përcakton”, thotë SPAK. Pas dorëzimit në gjykatë, dosja do t’i nënshtrohet shqyrtimit paraprak. (A2 Televizion)