Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin kundër krimit kibernetik, të quajtur “MISLEADING MESSAGES”, duke arrestuar një 23-vjeçar nga Franca, i dyshuar për mashtrime online me qëllim vjedhjen e parave nga qytetarët shqiptarë.
I riu Adem Said dërgonte mesazhe të rreme në celularët e qytetarëve në Shqipëri, duke u paraqitur si një bankë. Përmes një linku mashtrues, kërkonte që viktimat të plotësonin të dhënat e tyre bankare. Pasi i merrte këto të dhëna, ai përfitonte akses në llogaritë bankare të tyre dhe tërhiqte para nëpërmjet bankomatëve apo aplikacioneve bankare.
Pas një hetimi intensiv dhe bashkëpunimi mes disa strukturave të Policisë së Shtetit, 23-vjeçari Said u kap në flagrancë në një bankomat në Tiranë duke tërhequr para nga një llogari të përfituar përmes mashtrimit.
Në cilësinë e provave materiale, Policia sekuestroi tre celularë. Deri tani, dyshohet se janë mashtruar qindra qytetarë shqiptarë.
Ndaj të riut janë ngritur akuzat për "Mashtrim kompjuterik" dhe "Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike", ndërsa hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm ndaj çdo linku apo aplikacioni të panjohur që u vjen në rrjetet sociale dhe të raportojnë menjëherë raste të dyshimta. (A2 Televizion)