Lëvizte me pistoletë në Lushnje, arrestohet 60 vjeçari, i gjendet arsenal armësh në banesë

Nga A2 CNN
5 Gusht 2024, 10:10 | Kronikë

Një 60-vjeçar që lëvizte i armatosur me armë zjarri në qytetin e Lushnjës, ka përfunduar në pranga këtë të hënë. Uniformat blu bëjnë me dije se personit të arrestuar në momentin e ndalimit i është gjetur një armë zjarri e llojit pistoletë, me fishekë në fole gati për qitje.

Më pas gjatë kontrollit në banesën e 60-vjeçarit është sekuestruar një arsenal armësh (4 armë gjahu pa leje, 1 armë zjarri pistoletë), gjerdanë arme gjahu me fishekë, municion luftarak dhe radio të ngjashme me ato të policisë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë pas informacioneve se 1 shtetas lëviz i armatosur në qytet, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij. Në kuadër të operacionit "Guns", për këtë rast u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi: -A. M., 60 vjeç, banues në fshatin Mërtish.  Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, shërbimet e Policisë, i kanë gjetur këtij shtetasi 1 armë zjarri tip pistoletë me fishek në fole, dhe krehër të mbushur, 1 armë gjahu pa leje, municion luftarak, dhe një gjerdan arme gjahu me fishekë.  Më pas nga kontrolli i banesës së shtetasit A. M., shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, gjetën dhe sekuestruan 2 armë gjahu pa leje, gjerdanë arme gjahu, municion luftarak, dylbi, dhe radio të ngjashme me ato të Policisë.”

Penalisht është proceduar edhe i biri i 60-vjeçarit, i cili ndodhej në automjet në momentin e arrestimit të të atit së bashku me një shtetas 59-vjeçar.

“Gjithashtu për këtë rast u proceduan penalisht shtetasit: Q. G., 59 vjeç, dhe djali i tij, shtetasi K. G., 31 vjeç, të dy banues në fshatin Gurë.  Këta shtetas në momentin e kontrollit të automjetit, ishin pasagjerë dhe nga kontrolli i banesës së tyre u gjet dhe sekuestrua një armë gjahu pa leje.”

60 vjeçari akuzohet për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", dhe "prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive", ndërsa djali i tij dhe 59-vjeçari që e shoqëronte akuzohen për veprat penale "Moskallëzim i krimit", dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos