
Ish-kryedemokrati Lulzim Basha është paraqitur pak minuta më parë në Prokurorinë e Posaçme. A2 CNN ka siguruar pamjet teksa Basha shkon në SPAK.
Po ashtu, A2 CNN mëson se Basha ka shkuar në SPAK për llogari të hetimit të dosjes së ’21 Janarit’. Dyshohet se Basha është thirrur ne urdhër të prokurorit Alfred Shehu, i cili ka në dorë dosjen e '21 Janarit'.
Kujtojmë se në 21 janar të vitit 2011 mbetën të vrarë 4 protestues në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, gjatë protestës që organizonte opozita socialiste e asaj kohe. Lulzim Basha atherë ishte Ministër i Brendshëm.
Protesta u thirr pas daljes së një videoje të zv.kryeministrit të asaj kohe, Ilir Metës, ku ai shfaqej duke bërë korrupsion.
Mazhoranca e kohës pretendoi se video ishte e montuar dhe nuk i ka pranuar akuzat e opozitës për korrupsion qeveritar. (A2 Televizion)
