Magazinonte lëndë piroteknike, dyshohet se do t’i shiste për protestat, arrestohet 24-vjeçari

Nga A2 CNN
16 Tetor 2026, 10:04 | Kronikë

Magazinonte lëndë piroteknike, dyshohet se do t’i shiste

Policia njofton se ka zbuluar një banesë ku ishin magazinuar lëndë piroteknike të kontrabanduara, dyshohet për t’ua shitur pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit.

Në pranga ka rënë një 24-vjeçar, ndërsa janë sekuestruar 344 kuti me lëndë piroteknike të ndryshme, me vlerë rreth 40 000 euro.

“Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që kishte magazinuar në banesë sasi të konsiderueshme lëndësh piroteknike, me qëllim përdorimin për qëllime të kundërligjshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar ‘Fireworks’. Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E. R., 24 vjeç.

Nga kontrolli në katin e parë të banesës së 24-vjeçarit, në rrugën ‘Jargavani’, u gjetën 344 kuti me lëndë piroteknike, që dyshohet se ky shtetas ua furnizonte personave të maskuar e të dhunshëm gjatë protestave të tri ditëve të fundit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos