"Mbi 40 të dënuar për 21 Janarin"- Karanxha: Kishte të arrestuar që s'kishin lidhje me ngjarjen

Nga A2 CNN
21 Janar 2026, 21:08 | Kronikë

Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se për protestën e 21 Janarit ka pasur mbi 40 të dënuar, por gjithashtu ka pasur edhe persona të arrestuar që nuk kishin lidhje me ngjarjet e asaj dite.

“Kemi qenë korrekt me të gjitha aktet që kanë ndodhur atë ditë. Por, duhet të kemi parasysh diçka: gjithçka duhet të jetë e provuar sepse nëpër protesta, duke pasur parasysh tymin, filmimet dhe provat, gjithçka duhet të jetë e provuar. Sepse shkon një çështje në gjykatë dhe dyshimi është tjetër, prova është tjetër. Të gjitha janë dokumentuar dhe është listë shumë e madhe dëmtimesh. Ka shkatërrime prone publike dhe private. Ka pasur shumë akte dhune dhe është një numër shumë i lartë personash të dënuar. 3 organizatorët janë dërguar për ndjekje nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas procedurës. Çdo person e kemi çuar me prova dhe nuk kemi toleruar askënd”, tha Karanxha.

Sipas tij, më saktësisht ka pasur mbi 40 persona të dënuar për 21 Janarin.

“Nga personat e arrestuar kishte një pjesë që nuk kishin lidhje fare me ngjarjen. Kjo ndodhi sepse në fillim erdhën arrestimet në flagrancë dhe më pas janë vlerësuar në gjykatë. Pamjet filmike analizohen, kqyren, identifikohet personi dhe bëhet ndalimi. Pjesa më e madhe e personave është ndaluar mbrapa. Pamjet filmike janë analizuar me detaje dhe garantoj se kujtdo që i ka dalë foto duke bërë akte dhune, është proceduar penalisht. Protesta e 21 Janarit ka qenë e ligjshme dhe ka precipituar në veprime të paligjshme. Goditjet me dru të forcave të rendit përbën vepër penale”, deklaroi ish-prokurori. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos